Historia e Tempullit të Romës
Tempulli i Romës është tempulli i parë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Itali dhe i trembëdhjetë në Evropë. Ai qëndron në një kodër në pjesën veriore të Romës në Via di Settebagni, 376-354, një vend madhështor i zbukuruar me kopshte të lulëzuara, pemë të lashta ulliri dhe një shatërvan që shkon nga Tempulli në ndërtesën artistike të Qendrës së Vizitorëve dhe Biblioteka e Historisë Familjare për kërkime gjenealogjike.
Që kur u hap, vizitorë nga e gjithë bota kanë ardhur në këtë vend të shenjtë për bukurinë dhe rëndësinë e tij fetare. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen brenda tempullit për ceremonitë e shenjta fetare që i afrojnë më shumë me Perëndinë, ndërsa turistët vijnë për të parë terrenin e tempullit dhe për të shijuar qendrën e vizitorëve.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Itali
Historia e Tempullit të Romës në Itali fillon që në ditët e para të Kishës së Jezu Krishtit në Itali. Në 1843, kur u pagëzua në Boston, Massachusetts, Joseph Toronto (i lindur Giuseppe Taranto) u bë i pari i konvertuar italian i njohur në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Më 1849, Toronto ishte ndër misionarët e parë të dërguar në atdheun e tij dhe ai shoqëroi apostullin Lorenco Snou dhe të tjerë në Itali për të hapur një Mision të Kishës. Misioni i parë ishte jetëshkurtër: ai u mbyll në 1867, por mbetën disa të konvertuar.
Vincenco Di Franceska, me origjinë nga Siçilia, ishte një shembull tjetër i shkëlqyer i besnikërisë së shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme. Në vitin 1910 ai ishte një ministër protestant në Nju Jork kur gjeti një libër që i mungonte kopertina. Ai lexoi librin, për të cilin mendoi se ishte i ngjashëm me Biblën. Kur mbaroi së lexuari, u lut dhe mori konfirmimin se ishte një vepër e Perëndisë. Zemra e tij, tha ai, rrahte “sikur të fliste” dhe ndjeu një “gëzim suprem që asnjë gjuhë njerëzore nuk mund ta [përshkruaj]”.
Duke mos e ditur se ishte Libri i Mormonit, një libër i shkrimeve të shenjta i shenjtë për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Di Franceska filloi ta përdorte librin në predikimet e tij. Kur eprorët i kërkuan që ta shkatërronte, ai nuk pranoi dhe iu ndalua të predikonte. Më vonë u kthye në Siçili, ku vazhdoi ta ndante librin sa më shpesh të ishte e mundur.
Në vitin 1930, ndërsa po kërkonte në një fjalor, ai gjeti një zë për fjalën “Mormon”. Duke e njohur atë si një nga emrat e renditur në librin e tij pa titull, ai më në fund e zbuloi origjinën e librit dhe mundi të vihej në kontakt me udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti. Ai mbajti kontakte të rregullta deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, kur komunikimi u bë i pamundur.
Gjatë kësaj kohe, Di Franceska vazhdoi të predikonte duke përdorur Librin e Mormonit dhe materiale të tjera të Kishës që ai i përktheu në italisht. Në vitin 1951, pas katër dekadash pritjeje, ai më në fund mundi të pagëzohej anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Detin Mesdhe.
Ndërsa një numër italianësh mësuan për ungjillin e Jezu Krishtit në vende të tjera dhe u kthyen në shtëpi për të ndarë mesazhin me miqtë dhe familjen, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u rithemelua në Itali në vitet 1950. Kongregacionet e para italisht-folëse u organizuan në Breshia dhe Palermo.
Në vitin 1966, Misioni Italian u rivendos me seli në Romë. Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe midis viteve 1970 dhe 1980, numri i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Itali u rrit pothuajse tetëfish. Në vitin 1981, u organizua kunji i parë në Itali (një njësi e ngjashme me dioqezën).
Në vitin 2012, Kishës iu dha një Intesa, një marrëveshje me qeverinë italiane që i jepte Kishës mbrojtje sipas kushtetutës italiane, duke përfshirë lirinë për të ndjekur misionin e saj mbarëbotëror dhe njohjen e udhëheqësve të Kishës si klerik. Aktualisht, ka rreth 27,000 anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Itali në pothuajse 100 kongregacione.
Tempulli i Romës në Itali
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e konsiderojnë pjesëmarrjen në ordinancat e shenjta të tempullit si kulmin e adhurimit të tyre. Për shumë vite, anëtarët italianë udhëtuan për në tempullin më të afërt pranë Bernës në Zvicër, shpesh me shpenzime të mëdha personale. Por anëtarët në Itali dëshironin të kishin një tempull në atdheun e tyre.
Gjatë konferencës së përgjithshme të Kishës më 4 tetor 2008, Tomas S. Monson, atëherë president i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, njoftoi planet për të ndërtuar një tempull në Romë. Mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Itali, duke parë një transmetim satelitor të konferencës në shtëpitë e tyre të mbledhjeve lokale, brohoritën, shkëmbyen përqafime dhe u gëzuan. "Ne të gjithë bërtitëm," raportoi Massimo De Feo, i cili po shërbente si president i Kunjit në Romë Itali. Ai e përshkroi reagimin si atë që “mund të prisni të shihni në një arenë sportive gjatë një fitoreje të sekondës së fundit”.
Ndërtimi i Tempullit
Ndërtimi filloi dy vjet më vonë, më 23 tetor 2010. Presidenti Tomas S. Monson dhe udhëheqës vendorë të Kishës dhe komunitetit morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve.
Theksimi i kulturës italiane kishte rëndësi të madhe për arkitektët në ndërtimin e piazza-s (sheshit). Arkitekti për Tempullin e Romës, Itali, Nils Valentineri, tregoi: “Ne vazhduam t’i ktheheshim këtij modeli oval, i cili me të vërtetë shihet nga shumë vetë si një shprehje e arkitekturës italiane baroke… Ai merr nga Italia një deklaratë arkitekturore dhe e sjell atë në tempull.”
Gjithçka në piazza u projektua për ta nderuar Romën dhe për të kremtuar kulturën vendore, duke përfshirë hollësi të vogla si yjet me dymbëdhjetë cepa që përdoren disa herë, të frymëzuar nga sheshi Kampidolio i Mikelanxhelos, dhe referimet për pemët e ullirit që dikur qëndronin në këtë vend, si dhe modeli në përgjithësi i sheshit, i cili i ngjan një forumi të lashtë romak.
Më 25 mars 2017, statuja e engjëllit Moroni, e veshur me ar, u vendos në majë të kullës lindore dhe më të lartë të ndërtesës me dy maja, një nga shtesat përfundimtare në tempull.
Shtëpia e Hapur dhe Përkushtimi
Pas përfundimit të ndërtimit në shkurt 2019, Tempulli ishte i hapur për publikun për disa javë, kohë gjatë së cilës 52.000 njerëz vizituan ndërtesën përpara përkushtimit të saj.
Tempulli i Romës në Itali u kushtua më 10 mars 2019, nga Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për herë të parë në historinë e Kishës, çdo anëtar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mori pjesë në ceremoninë e përkushtimit.
“Në këtë qytet të lashtë dhe të madh që ka qëndruar që nga kohët biblike – në këtë komb historik të Italisë – ne njohim shërbesën e dy prej Apostujve të hershëm të Birit Tënd, Pjetrit dhe Palit, të cilët dikur e bekuan këtë tokë me punët e tyre”, - tha Presidenti Nelson në lutjen e përkushtimit. “Ndikimi i dëshmisë së tyre të qëndrueshme për Jezu Krishtin vazhdoftë të ndihet ndër vlerat jetësore të këtij vendi të madhërishëm!”