Historia e Tempullit të Romës

Tempulli i Romës është tempulli i parë i Kishës së Jezu Krishtit në Itali dhe i trembëdhjeti në Europë. Ai qëndron në një kodër në pjesën veriore të Romës në Via di Settebagni, 376-354, një vend madhështor i zbukuruar me kopshte të lulëzuara, ullinj të lashtë dhe një rrjedhë uji që shkon nga Tempulli drejt ndërtesës artistike të Qendrës së Vizitorëve dhe Bibliotekës së Historisë Familjare për kërkime gjenealogjike.

Që kur u hap, vizitorë nga e gjithë bota kanë ardhur në këtë vend të shenjtë për bukurinë dhe domethënien e tij fetare. Anëtarët e Kishës mblidhen brenda tempullit për ceremonitë e shenjta fetare që i sjellin ata më pranë Perëndisë, ndërsa turistët vijnë për të parë terrenin e Tempullit dhe për t’u kënaqur në qendrën e vizitorëve.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Itali

Historia e Tempullit të Romës në Itali fillon që në ditët e para të Kishës në Itali. Në vitin 1843, Xhozef Toronto (me emrin në lindje Xhuzepe Taranto) u bë i pari i kthyer në besim italian i njohur në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur u pagëzua në Boston, Masaçusets. Në vitin 1849, Torontoja ishte ndër misionarët e parë të dërguar në atdheun e tij kur shoqëroi apostullin Lorenco Snou dhe të tjerë në Itali për të hapur një Mision të Kishës. Misioni i parë ishte jetëshkurtër, ai u mbyll në vitin 1867, por mbetën disa të kthyer në besim.

Vinçenco Di Françeska, me origjinë nga Siçilia, ishte një shembull tjetër i shkëlqyer i besnikërisë së anëtarëve të hershëm të Kishës. Në vitin 1910, ai ishte një shërbestar protestant në Nju-Jork kur gjeti një libër që i mungonte kapaku. Ai lexoi librin, për të cilin mendoi se ishte i ngjashëm me Biblën. Kur mbaroi së lexuari, u lut dhe mori pohimin se ishte një vepër e Perëndisë. Zemra e tij, tha ai, rrihte “sikur të fliste” dhe ndjeu një “gëzim suprem që asnjë gjuhë njerëzore nuk mund ta [përshkruaj]”.
Duke mos ditur se ishte Libri i Mormonit, një libër i shkrimeve të shenjta i shenjtë për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit, Di Françeska filloi ta përdorte librin në predikimet e tij. Kur eprorët i kërkuan që ta shkatërronte, ai nuk pranoi dhe iu ndalua të predikonte. Më vonë u kthye në Siçili, ku vazhdoi të tregonte për librin sa më shpesh që të ishte e mundur.
Në vitin 1930, ndërsa po kërkonte në një fjalor, ai gjeti një zë për fjalën “Mormon”. Duke e njohur atë si një nga emrat e renditur në librin e tij pa titull, ai më në fund e zbuloi origjinën e librit dhe mundi të vihej në kontakt me udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti. Ai mbajti kontakte të rregullta deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, kur komunikimi u bë i pamundur.
Gjatë kësaj kohe, Di Françeska vazhdoi të predikonte duke përdorur Librin e Mormonit dhe materiale të tjera kishtare që ai i përktheu në italisht. Në vitin 1951, pas katër dekadash pritjeje, ai më në fund mundi të pagëzohej në Detin Mesdhe si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ndërsa një numër italianësh mësuan për ungjillin në vende të tjera dhe u kthyen në shtëpi për ta shpërndarë mesazhin te miqtë dhe familjarët, Kisha u rithemelua në Itali në vitet 1950. Bashkësitë e para italishtfolëse u organizuan në Bresha dhe Palermo.
Fotografi e anëtarëve të hershëm
Në vitin 1966, Misioni Italian u rivendos me seli në Romë. Kisha u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe, ndërmjet viteve 1970 dhe 1980, numri i anëtarëve të Kishës në Itali u rrit pothuajse tetëfish. Në vitin 1981, u organizua kunji i parë në Itali (një njësi e ngjashme me dioqezën).

Në vitin 2012, Kishës iu akordua një dokument “Intesa”, një marrëveshje me qeverinë italiane që i jep Kishës mbrojtje sipas kushtetutës italiane, duke përfshirë lirinë për të ndjekur misionin e saj mbarëbotëror dhe njohjen e udhëheqësve të Kishës si klerikë. Aktualisht, ka rreth 27.000 anëtarë të Kishës në Itali në pothuajse 100 bashkësi.

Tempulli i Romës në Itali

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e konsiderojnë pjesëmarrjen në ordinancat e shenjta të tempullit si kulmin e adhurimit të tyre. Për shumë vite, anëtarët italianë udhëtuan për në tempullin më të afërt pranë Bernës në Zvicër, shpesh me shpenzime të mëdha personale. Por anëtarët në Itali dëshironin të kishin një tempull në atdheun e tyre.
Gjatë konferencës së përgjithshme të Kishës më 4 tetor 2008, Tomas S. Monsoni, në atë kohë President i Kishës, njoftoi planet për të ndërtuar një tempull në Romë. Mijëra anëtarë të Kishës në Itali, që po shihnin një transmetim satelitor të konferencës në shtëpitë e tyre vendore të mbledhjeve, brohoritën, shkëmbyen përqafime dhe u gëzuan. “Ne të gjithë brohoritëm”, raportoi Masimo De Feo, i cili po shërbente si President i Kunjit në Romë, Itali. Ai e përshkroi reagimin si atë që “mund të prisni të shihni në një arenë sportive gjatë një fitoreje të sekondës së fundit”.

Ndërtimi i Tempullit

Ndërtimi filloi dy vjet më vonë, më 23 tetor 2010. Presidenti Tomas S. Monson dhe udhëheqës vendorë të Kishës dhe komunitetit morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve.

Theksimi i kulturës italiane kishte rëndësi të madhe për arkitektët në ndërtimin e piazza-s (sheshit). Arkitekti për Tempullin e Romës, Itali, Nils Valentineri, tregoi: “Ne vazhduam t’i ktheheshim këtij modeli oval, i cili me të vërtetë shihet nga shumë vetë si një shprehje e arkitekturës italiane baroke… Ai merr nga Italia një deklaratë arkitekturore dhe e sjell atë në tempull.”

Gjithçka në piazza u projektua për ta nderuar Romën dhe për të kremtuar kulturën vendore, duke përfshirë hollësi të vogla si yjet me dymbëdhjetë cepa që përdoren disa herë, të frymëzuar nga sheshi Kampidolio i Mikelanxhelos, dhe referimet për pemët e ullirit që dikur qëndronin në këtë vend, si dhe modeli në përgjithësi i sheshit, i cili i ngjan një forumi të lashtë romak.

Më 25 mars 2017, statuja e engjëllit Moroni, e veshur me ar, u vendos në majë të kullës lindore dhe më të lartë të ndërtesës me dy maja, një nga shtesat përfundimtare në tempull.

Shtëpia e Hapur dhe Përkushtimi

Pas përfundimit të ndërtimit në shkurt 2019, Tempulli ishte i hapur për publikun për disa javë, kohë gjatë së cilës 52.000 njerëz vizituan ndërtesën përpara përkushtimit të saj.

Tempulli i Romës në Itali u përkushtua më 10 mars 2019 nga Presidenti Rasëll M. Nelson, Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për herë të parë në historinë e Kishës, çdo anëtar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mori pjesë në ceremoninë e përkushtimit.

“Në këtë qytet të lashtë dhe të madh që ka qëndruar që nga kohët biblike – në këtë komb historik të Italisë – ne njohim shërbesën e dy prej Apostujve të hershëm të Birit Tënd, Pjetrit dhe Palit, të cilët dikur e bekuan këtë tokë me punët e tyre”, - tha Presidenti Nelson në lutjen e përkushtimit. “Ndikimi i dëshmisë së tyre të qëndrueshme për Jezu Krishtin vazhdoftë të ndihet ndër vlerat jetësore të këtij vendi të madhërishëm!”